Ariana Grande i kërkon markës së njohur të rrobave 10 milion dollarë dëmshpërblim

Ariana Grande kërkon dëmshpërblim prej 10 milionë dollarësh nga marka e njohur e rrobave “Forever 21”, për shfrytëzim të paautorizuar imazhi.

Ylli i muzikës pop shprehet se “Forever 21” ka përdorur figurën dhe emrin e saj për të promovuar veshje dhe produkte bukurie. Grande pretendon në padinë e paraqitur në gjykatën federale në Kaliforni se firma ka publikuar të paktën 30 imazhe dhe video të sajat dhe se ka përdorur modele të ngjashme me të.

Padia në fjalë vjen pas prishjes së bisedimeve për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy palëve. Grande pretendon gjithashtu se bisedimet u prishën në vitin 2018 pasi shuma që “Forever 21” ofroi për të paguar për përdorimin e emrit dhe imazhit të saj ishin të pamjaftueshme. “Në vend që të paguajnë ashtu siç e kërkon ligji, ata thjesht vodhën”-thotë Grande përkundrejt markës që ka dyqane në më shumë se 50 vende të botës.

Kjo e fundit i kundërshton pretendimet. “Jemi mbështetës të mëdhenj të Ariana Grande-s dhe kemi punuar gjatë dy viteve të fundit me kompaninë e saj licencuese. Kemi shpresë se do e gjejmë një marrëveshje të pranueshme reciprokisht dhe se do të mund të vazhdojmë të punojmë së bashku në të ardhmen”– thotë “Forever 21”.

Advertisement
Loading...