Busti i shëmtuar i Adem Jasharit do të hiqet, merret vendimi për ta realizuar sërish

Busti i ri i komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, ka marrë kritika të mëdha për mënyrën e realizimit të tij. Dy ditë pasi është vendosur në një qendër tregtare në Prizren, është marrë vendimi që busti të hiqet dhe të ribëhet. Kështu ka deklaruar ekipi menaxhues i qendrës tregtare.Ky vendim është marrë në bashkëpunim me familjen Jashari, e cila i ka quajtur konstruktive kritikat që janë bërë.

Në të njëjtën ditë në Prizren, më 28 nëntor, u vendos gjithashtu shtatorja e Skënderbeut, e cila gjithashtu nuk u prit aspak mirë.

Megjithatë ende nuk dihet ç’do të ndodhë me të. Pedagogu dhe skulptori Ilir Muharremi e ka cilësuar shtatoren e Skënderbeut dhe atë të Adem Jasharit si një bastardim dhe karikaturë të vërtetë. Parë nga syri i një profesionisti ai ka treguar se ku qëndron gabimi tek shtatorja e Skënderbeut në Prizren. Madje Muharremi është i mendimit që këto vepra të hiqen dhe të punohen skulptura të tjera më reale e të fuqishme.

“Ata kanë gabuar te pjesa anatomike, trupi, qafa, fytyra, kraharori nuk kanë ngjashmëri as minimale, ne mund të punojmë artistike, por shtatorja është art publik ku fëmijët duhet ta kujtojnë origjinal se si ishte heroi. Kam dëgjuar pse të krijojmë vetëm Skëndërbeun e Odhise Paskalit, ne duhet të kapim origjinali. Ne mund ta modernizojmë, por gjithnjë duke ruajtur karakterin origjinal. Ndihem i turpëruar dhe i fyer me ato që kanë prezantuar skulptorët. Këto nuk mund të përmirësohen, këto duhen të hiqen dhe të punohen skulptura më reale dhe të fuqishme. Populli e ka shumë lehtë për ta identifikuar skulpturën, ose i ngjan ose jo. Skulptori e di që duhet të përshtatet për çdo masë, çdo popull, nuk është një çështje personale“, është shprehur skulptori Ilir Muharremi.

Ai ka shtuar se në këtë rast nuk është vetëm faji i skulptorit, por edhe i komisionit të vlerësimit që vendosë çfarë duhet shfaqur para publikut. Ai nuk ka përjashtuar as faktin se interesat mund të shkojnë përtej atyre që na paraqiten ne e që janë të dukshme.

“Skëndërbeun e ka bërë me sa kam lexuar në media Sinan Aliaj. Për Adem Jasharin emri i skulptori nuk dihet, por nga sa lexova nga mediat është parukier, por e ka hobi skulpturën. Kjo është një fyerje e madhe që janë dhe ekzistojnë e kanë krijuar vepra madhështore, nga gjenerata e re, por edhe ajo e mesme dhe e vjetër. I kanë shëmtuar figurat e famshme historike. Diku thuhet që ka kushtuar 70 mijë euro krijimi i Skënderbeut, mund të këtë ndikim mjetet financiare. Fajin nuk e ka shumë skulptori, por te Komisioni se ato bëjnë përzgjedhjen, pse e pranuan një punë të tillë kur nuk i kanë plotësuar as kushtet minimale. Se skulptori si e tha, pse ta bëjmë muskuloz, t’ia heqim muskujt, ta zbresim nga kali. Okay, Skëndërbeu e meriton një skulpturë në këmbë, por i ka thyer të gjitha ato fakte historike për Skënderbeun. Për Adem Jasharin, kokën shumë të madhe dhe duart e shkurtra. Vetëm mjekra dhe dylbitë e identifikojnë. Edhe Skëndërbeun, vetëm mjekra e identifikon, edhe pse ajo nuk është punuar shumë mirë“, ka thënë Muharremi.

Advertisement
Loading...