Eli Fara tregon si i kërkoi divorcin burrit të burgosur

Eli Fara ka qenë e ftuara speciale në “E Diela Shqiptare”, ku ka folur si rrallë herë për ish-bashkëshortin e saj. Këngëtarja ka rrëfyer historinë e dashurisë me të, nga momenti i njohjes e deri tek ndarja.

Eli ka theksuar se me ish-bashkëshortin, njëkohësisht dashuria e parë për këngëtaren, është njohur në moshë fare të re. Ishte kjo arsyeja pse ajo i kishte marrë disa vendime pa u menduar gjatë, teksa ka treguar se prej tij, ishte larguar edhe nga shtëpia. “Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre m’u qep keq, nuk shpëtova dot.

Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo se çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh”, është shprehur Eli.

Ajo ka treguar se në momentin që familja e saj ishte mbledhur për të vendosur për ‘fatin’ e vajzës, këngëtarja ishte larguar për të jetuar me djalin që i kishte rrëmbyer zemrën. “Sigurisht tani që jam pjekur, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabime të një moshe shumë të re”, shtoi Eli. Në vijim, ajo ka treguar se marrëdhënia në çift shoqërohej me debate të shumta dhe se me kalimin e kohës kuptoi që partneri nuk ishte personi i duhur për të kaluar pjesën tjetër të jetës.

“Ish-i ishte një nga çunat më çapkën seç duhej në Korçë dhe kishte shokë të vetët. Kjo gjë i çoi në një tragjedi të madhe, sepse ishin grupe çunash që konkurronin me njëri-tjetrin kush ishte më i fortë dhe ndodhi që shokun e ngushtë të ish-it e vranë. Pastaj filloi një tjetër stuhi që ishte goxha e madhe për atë kohë hetime, gjyqe mbas gjyqeve që zgjatën shumë.

Gjyqet vazhduan goxha nja 1 vit e gjysmë dhe mbasi u bënë të gjitha përpjekjet dhe për të ulur dënimin, derisa u dha dënimi i fundit dhe e përcaktuan dhe burgun ku do vuante dënimin, atje kam shkuar me vajzën dhe i kam thënë që unë do të bëj ndarjen. Nuk ka pasur ndonjë kundërshtim dhe unë kam parë jetën time. Vazhdoja punën si mësuese në fshat, vajzën e kisha në çerdhe, kisha probleme financiare sepse mora dhe një apartament”, ka përfunduar Eli, duke treguar kështu marrëdhënien e komplikuar me ish-bashkëshortin.

Advertisement
Loading...