
Pas arrestimit në pikën kufitarë Kosovë-Shqipëri, Fjolla Morina është momentalisht nën arrest shtëpie. Këngëtarja u vu nën pranga pasi në çantë iu gjetën dy pistoleta.
Fjolla shoqërohej edhe nga dy shtetas të tjerë, Fitim Muji dhe Fisnik Syla. Këta të funit u lanë të lirë, pasi nuk ishte gjetur asnjë shenjë gishtërinjsh në armët që këngëtarja mbante me vete. Në një tjetër dëshmi, Fjolla ka deklaruar se me biznesmenin Fisnik Syla kishte një lidhje dashurie dhe se dyshja ishin gati për martesë. “Jam nisur nga Kosova me makinën time, për në Tiranë pasi kam pasur për të bërë muzikë. Në makinë kam pasur edhe shtetasin Fitim Muji, shofer si dhe shokun tim Fisnik Syla. Gjatë kontrollit në PKK Morinë më kanë gjetur pistoletën dhe fishekët në çantë dhe në makinë. Pistoletën ma ka bërë dhuratë një miku im nga Gjermania, i cili nuk jeton më. Personat që unë kisha në makinë nuk ishin në dijeni se unë kam pistoletë, madje edhe unë vetë nuk e dija se e kam në çantë pistoletën. Deklaroj se Fitim Mujin e kam njohur para tre muajsh dhe e kam shoferin tim dhe të Fisnikut, pasi ai punon për Fisnikun. Ndërsa me Fisnik Syla jam njohur që herët dhe tani jemi të dashur, gati për martesë, por nuk e kam nxjerrë nëpër media, duke e mbajtur privat. Dua të deklaroj se mund të jem edhe shtatzënë pasi një test paraprak më ka dalë pozitiv”, është shprehur Fjolla.
Në një tjetër dëshmi, Syla ka pranuar lidhjen me këngëtaren, ndërsa ka deklaruar se nuk ka patur dijeni për armët që kjo e fundit mbante në çantë. “Jemi nisur nga Kosova me makinën e Fjollës dhe dua të deklaroj se Fjollën e kam të dashur prej 2-3 muajsh dhe kam lidhje me të, ndërsa shtetasin Fitim Muji e kam shokun tim prej kohësh pasi jemi nga i njëjti fshat. Po vinim në Tiranë pasi Fjolla kishte një klip për të bërë dhe ne po e shoqëronim. Nuk kisha dijeni për armët në makinë, pasi po ta dija nuk kisha hipur në atë makinë, se unë kam biznesin tim dhe nuk më shkon në mendje për të bërë ndonjë të pabërë. Fitimi është shoku im dhe nuk ka lidhje me Fjollën dhe është i papërfshirë në këtë ngjarje”, ka deklaruar biznesmeni. Fisnik Syla dhe Fitim Muji janë liruar me kusht nga Gjykata e Kukësit, ndërsa Fjolla po qendron nën arrest shtëpie në një banesë me qira në këtë qytet.






























