Nga shtëpia i karantinuar, Cristiano bën ndryshimin drastik  në pamje

Bota e futbollit u trondit dy ditë më parë pas lajmit që u dha nga federata portugeze e futbollit, e cila informoi se Cristiano Ronaldo është infektuar me Covid-19. Megjithatë, në njoftimin e tyre thuhej se Ronaldo është mirë dhe nuk ka asnjë simptomë.

Infektimi bëri që 5 herë fituesi i Topit të Artë të mungonte në ndeshjen e mbrëmshme që Portugalia zhvilloi kundër Suedisë në Ligën e Kombeve.

Megjithatë, ai tregoi mbështetjen e tij nga hoteli, ku po qëndron i izoluar nga ku ka ndarë edhe foto të tjera. Ndërkohë, ditën e sotme, futbollisti ka ndarë një foto e video, ku tregon se po ushtrohet ndonëse është i infektuar, teksa ai që ra në sy është modeli i tij i flokëve.

CR7 ka qethur flokët e tij thuajse zero, duke bërë një ndryshim goxha të madh.

Këtë vit e kemi parë se ylli portugez ka eksperimentuar goxha me look-un e tij, madje për karantinë i rriti flokët. Mirëpo, teksa Ronaldo eksperimenton me look-un, problemet e presin në Itali.

Lajmi për infektimin e Ronaldos, në funksion të ndeshjeve të ardhshme të kampionatit dhe mbi të gjitha për debutimin në Champions League ka ngritur një kambanë alarmi në dhomat e zhveshjes së Andrea Pirlo dhe ka irrituar drejtuesit e Juventusit.

Ylli portugez duhet të respektojë protokollin dhe të presë që tamponët e ardhshëm të rezultojnë negativ. Sidoqoftë, në kthimin e tij në Torino, ai mund të gjente një klimë veçanërisht të tensionuar. Klubi i Andrea Agnelli, përveç shqetësimit për shëndetin e tij, ka frikë nga pasojat ligjore pas vendimit të CR7 për të mos dëgjuar këshillat e marra nga lart.

Pasi dy persona në kontakt me ekipin u prekën nga Covid-19, presidenti i Juventusit në fakt u kishte kërkuar të gjithë lojtarëve të tij që të mos iu përgjigjen thirrjeve ndërkombëtare.

Por, Ronaldo u largua për në Portugali për të luajtur ndeshjet e Ligës së Kombeve. Sakaq, edhe McKennie ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Advertisement
Loading...