Rita Ora mesazh vajzave shqiptare: Ndiqni ëndrrat mos u dorëzoni

Prej vitit 2012, 11 Tetori njihet si Dita Ndërkombëtare e vajzave të vogla. Një ditë kur gjithsekush, në mënyra të ndryshme, mundohet të përcjellë një mesazh për vajzat dhe ndër më të veçantët që dëgjuam, ishte ai i Rita Orës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, publikoi video-mesazhin e Ritës, dedikuar vajzave të vogla.

“Sot në Kuvendin e Kosovës organizuam Ditën Ndërkombëtare të Vajzave. Rita Ora na ka dërguar një mesazh enkas për vajzat e vogla që ishin aty. Faleminderit Rita që shërben si inspirim për shumë vajza në Kosovë e anekënd botës. Krenohemi me ty” –ka shkruar Osmani përkrah videos së publikuar në rrjetet e saj sociale.

Ndërsa Rita shprehet:

“Përshëndetje! Jam Rita Ora. Pavarësisht nëse vendos të bëhesh një këngëtare, balerinë, atlete, piktore, aktore, shkencëtare apo mjeke, ti mund të zgjedhësh rrugën që do të ndjekësh. Kjo i ndihmon vajzat dhe gratë në Kosovë dhe ato në mbanë botës të besojnë te vetja dhe të kuptojnë që i kanë aftësitë, njohuritë dhe fuqinë për të zgjedhur të ardhmen e tyre.

U jam shumë mirënjohëse familjes dhe shoqërisë sime që më kanë mbështetur në përzgjedhjen në karrierë deri tani. Çdo ditë bëj sakrifica dhe planifikoj të vazhdoj kështu, në mënyrë që të frymëzoj dhe motivoj, jo vetëm veten, por shpresoj edhe shumë vajza kudo. Edhe ju mund të bëni të njëjtën gjë. Vazhdoni përpara dhe sundoni botën në mënyrën tuaj. Dhe mbani mend: Ju keni fuqinë për ta bërë këtë.”

Advertisement
Loading...