Ndërron jetë motra 18-vjeçare e këngëtarit të “One Direction”

Motra e këngëtarit të ish-grupit “One Direction”, Louis Tomlinson, ka ndërruar jetën në moshën 18-vjeçare. Felicite Tomlinson, e cila dyshohet si viktimë e një ataku në zemër, u gjet e pajetë mesditën e së mërkurës në shtëpinë e saj në Londër. “Në këtë fazë ende nuk dihet arsyeja e saktë. Autopsia do të bëhet në kohën e duhur”, thuhej në deklaratën e policisë.

Postimi i fundit i bërë i modeles në rrjetin social “Instagram”, ku ka mbi 1.3 milionë ndjekës, daton më 10 mars. “Nuk e di pse dukem kaq e shokuar”, shkruante ajo në mbishkrimin e fotos, ku pozonte para pasqyrës.

Louis Tomlinson është përballur edhe më parë me dhimbje të këtij lloji. Madje, ai mësohet se do të përformonte këtë fundjavë këngën “Two of Us”, e cila është realizuar pikërisht në kujtim të nënës së tij të ndjerë. Teksti i këngës përmban ndër të tjera fjalë të ndjera si: “Nuk do ta dish kurrë sesa më ka marr malli. Ditën që të morën, do të doja të isha unë në vendin tënd”. Nëna e këngëtarit, Johannah, u nda nga jeta në moshën 43-vjeçare, në vitin 2016, pas një beteje të gjatë me leuceminë. Louis ishte shprehur në lidhje me këtë performancë se do ta kishte tepër të vështirë ta sillte përpara katër motrave të tij.

Advertisement
Loading...