
Kancelarja Angela Merkel dhe zyrtarët e tjerë gjermanë, nuk janë më të mirëpritur në ‘Standige Vertretung’, një lokal i famshëm në Berlin që frekuentohet nga klasa politike. Shkaku? Izolimi i pjesshëm 1-mujor që hyri në fuqi në Gjermani para pak ditësh.
Moslejimi i kancelares dhe politikanëve të tjerë në ambientet e lokalit, është mënyra që pronarët e tij kanë zgjedhur që të shprehin zemërimin ndaj vendimit për të mbyllur bizneset dhe aktivitet për herë të dytë, me qëllim ngadalësimin e përhapjes së Covid-19. Jon Peter Brinkmann dhe Jan Philipp Bubinger(pronarët) e kanë bërë publik lajmin përmes një videoje në rrjetet sociale, ku i konsiderojnë Merkel dhe bashkëpunëtorët e saj si përgjegjës për masat shtrënguese.
“Tashmë e dini që shumë politikanë vijnë në lokalin tonë si mysafirë. Disa nga ata politikanë kanë vendosur që të mbyllin sërish bizneset dhe shërbimet e hotelierisë, duke na ndaluar të bëjmë punën tonë. Ne po i shtojmë këta politikanë në listën tonë të zezë menjëherë, ” thanë ndër të tjera bashkë-pronarët.
Përveç Merkelit, zyrtarët e tjerë që i është ndaluar hyrja në ‘Standige Vertretung’, janë Zv,kancelari Olaf Scholz, kryetari i Bashkisë së Berlinit Michael Muller, guvernatori i landit të Bavarisë Markus Soder dhe Ministri për Shëndetësinë Dilek Kolat.






























