As Panairi i Librit në Tiranë nuk i shpëton mbajtjes online

Këtë vit Panairi i Librit do të mbahet online, ndryshe nga herët e shkuara që organizohej në Pallatin e Kongreseve. Kjo është hera e parë në 23 vite që panairi do të mbahet online, ndaj konsiderohet si një sfidë e madhe për botuesit e lexuesit shqiptarë. Vendimi për mbajtjen e tij virtualisht u vendos nga Ministria e Shëndetësisë, sepse konsiderohej si një aktivitet i rrezikshëm për përhapjen e koronavirusit.

Por pyetja që na mundon të gjithëve është se si do të mbahet online Panairi i Librit?

I ftuar ditën e sotme në emisionin “Wake Up”, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri shpjegoi se si do organizohet ngjarja më e madhe kulturore në mes të pandemisë. Ai u shpreh se më e rëndësishmja është shitja e librave, që do të sigurohet përmes platformave të ndryshme dhe një faqeje të re në ëeb që është në punim e sipër.

Stendat dhe aktivitetet virtuale

“Së pari do të transmetojmë të gjitha aktivitet që do të bëjmë në qytetin e Tiranës, në sheshe, në ndërtesa të ndryshme, muze, salla etj. Në ambiente të hapura do të bëjmë shumë aktivitete që i bëjmë zakonisht në panair, tani do i bëjmë jashtë panairit. Për shembull në oborrin e Universitetit të Arteve do të bëjmë një promovim libri. Një pjesë e aktivitetve do të transmetohen live, një pjesë do të regjistrohen e do të transmetohen më vonë. Do të vendosen 6-7 monitorë në pikat kryesore të Tiranës ku do të shfaqen live të gjitha aktivitetet që do të organizohen gjatë ditëve të Panairit. Do të organziojmë shumë forume për problemet e librit. Marrëdhëniet e librit me sistemin fiskal, botuesit me autorët, botuesit me përkthyesit. Pak a shumë ajo që bëhej në Pallatin e Kongreseve do të bëhet virtualisht”, shpjegoi Ymeri.

Si do të bëhet shitja e librave?

Kryetari i Shoqatës së Botuesve tha se lexuesit do të klikojnë tek faqja e Panairit të Librit dhe aty do të mund të shohin e të blejnë cilat libra të dëshirojnë. Më pas do të bëjnë porosinë online dhe një korrier do t’ju dërgojë librin në adresën që ata do të lenë. Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë do të ketë ulje në çmim për një pjesë të madhe të librave.

Panairi i Librit do të mbahet ashtu siç ishte planifikuar prej kohësh nga data 12-15 nëntor.

 

Advertisement
Loading...