
Të gjithë kemi nevojë për kohë për veten, postoi të mërkurën Britney Spears (37) në rrjetet sociale.
Mediat amerikane të mërkurën njoftuan se këngëtarja është në trajtim në një institucion të shëndetit mendor.
Në spital ajo ka shumë të ngjarë të qëndrojë një muaj, ndërsa në psikiatri u paraqit vetë.
Këtë hap të guximshëm, Britney, të cilën mjekët në vitin 2007 e diagnostikuan me çrregullim bipolar, vendosi ta bëjë pasi që nuk mund ta përballonte sëmundjen e babait të saj Jamie Spears.
Deri të mërkurën, ajo nuk ka postuar nëpër rrjetet sociale për një kohë të gjatë, por as nuk është shfaqur në publik.
Herën e fundit e bëri këtë në janar, kur njoftoi se duhet të përqendrohet në familjen dhe shërimin e babait.
“Është e rëndësishme që familja ime të jetë prioritet. Ky është vendimi të cilin duhej ta merrja. Disa muaj më parë, babai im pothuajse vdiq. Të gjithë jemi shumë mirënjohës që arriti të shpëtonte, por para tij është ende një rrugë e gjatë”, – përfundoi atëherë Britney, shkruan KOHA Ditore.
Një burim i afërt me Britney deklaroi për Reuters se Jamie Spears i ishte nënshtruar një operacioni tjetër dy javë më parë dhe se nuk ndihet mirë, ndërsa vajza e tij vështirë po përballet me këtë. “Janë shumë të afërt. Ajo vetëm dëshiron kohë që të përqendrohet tek vetja”, deklaroi burimi. Pas kësaj, Britney edhe vetë njoftoi përmes profilit të saj në Instagram. “Të gjithë duhet të marrim pak kohë për veten. Dashurohu në kujdesin për veten, mendjen, trupin dhe shpirtin”, shkroi ajo.






























