Cristiano Ronaldo mund të jetë i infektuar me Covid19, rrezikon denimin

Cristiano Ronaldo dhe disa nga lojtarët më në formë të Juventusit mund të përballen me ligjin pasi iu bashkuan ekipeve të tyre kombëtare, pavarësisht rregullave që nuk e lejonin diçka të tillë pas dy rasteve pozitive në stafin e kampionëve italianë, thanë të mërkurën autoritetet lokale shëndetësore në Torino.

Si ylli portugez, ashtu edhe disa futbollistë të Amerikës së Jugut përfshirë Paulo Dybala, Juan Cuadrado, Danilo dhe Rodrigo Bentancur u larguan nga hoteli i ekipit të Juventusit pa pritur rezultatet e tamponit.

“Vetë klubi na tha që disa lojtarë ishin larguar nga vendi i izolimit dhe për këtë arsye ne do të njoftojmë autoritetin kompetent, që është Prokuroria, për atë që ndodhi,” tha Roberto Testi, një drejtor i autoritetit shëndetësor në rajonin e Piemonte, nga agjencia e lajmeve Ansa.

E gjithë skuadra dhe stafi i Juventusit ishin izoluar nga e shtuna, një procedurë që nuk i ndalon ata të stërviten ose të luajnë, por ndalon kontaktin me personat jashtë.

Të dy personat që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në klubin juventin ishin pjesë e stafit, pra jo futbollistë, por kjo nuk e ul shansin e infektimit të lojëtarëve.

Nuk dihet ende se çfarë dënimi mund të marrë ylli portugez dhe shokët e tij të skuadrës, dhe as nëse janë të infektuar me Covid-19.

Advertisement
Loading...