Gazetarja amerikane tregon si u dashurua me Shkrelin, shqiptarin më të urryer në botë

Një ish-reportere për Bloomberg News, Stephanie Clifford, përshkroi se si gazetarja Christie Smythe hoqi dorë nga “jeta e saj e përsosur në Brooklyn” duke rënë në dashuri me Martin Shkrelin, shqiptaro-amerikani që u bë i njohur për keq vite më parë dhe u dënua me shtatë vite burg për mashtrim.

U desh shumë pak që interneti të ndizej sërish, sepse dashuria e saj, tani partneri i jetës, nuk është ndonjë i pandehur i zakonshëm, por Martin Shkrel, i ashtuquajturi ‘Pharma Bro’, i cili rriti çmimin e një ilaçi të rëndësishëm më shumë se 5,000% brenda natës. Madje bleu edhe një album të vetëm të Wu-Tang Clan për një vlerë që pretendohet të jetë 2 milionë dollarë.

Në rrëfimin e botuar në Elle, Christie përshkruan se si marrëdhënia e saj me Shkrelin u zhvillua nga reportere dhe subjekt në diçka më shumë, deri në pikën kur dhanë puthjen e parë në dhomën e vizitorëve të burgut. “Unë i thashë Martinit se e doja. Dhe ai më tha se më donte gjithashtu,” u shpreh ajo.

Stephanie thotë se ata nuk mund të prekeshin përtej një përqafimi, nuk kanë fjetur kurrë së bashku, por kanë diskutuar emrat e fëmijëve. Ajo tani i referohet Shkrelit si “partneri i saj i jetës” dhe mbështeti kërkesën e tij të pasuksesshme për t’u liruar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në Twitter, ajo u shpreh:

“E kuptoj që është e vështirë për shumë njerëz të pranojnë që 1. Martini nuk është psikopat dhe 2. Një grua mund të zgjedhë të bëjë diçka me jetën e saj (e cila nuk ndikon te ju) të cilën ju në asnjë mënyrë nuk e aprovoni. Por kjo është në rregull. ”

Megjithatë duhet thënë se Stephanie raporton se Martin Shkreli ndaloi së komunikuari me Christie-n, kur mori vesh për artikullin. Komenti i tij i vetëm ishte:

“Z. Shkreli i uron zonjës Smythe fat më të mirë në përpjekjet e saj të ardhshme.” Elle raporton se Christie iu përgjigj komentit të Shkrelit duke thënë, “Është e këndshme, jo fort bindëse”.

Ndërkohë të shumtë janë njerëzit që akuzojnë Christie Smythe se thjesht po përpiqet të tërheqë vëmendjen. “Ka një tjetër mënyrë për ta parë gjithë këtë rrëmujë”, shkroi Katie Rosman, një reportere e Neë York Times. “Christie Smythe e shet Martin Shkrelin për famën dhe marrëveshjen e madhe për një libër. E përdor atë, e bën të gjithën për para, e mund atë në vetë lojën e tij.”

Në vitin 2015, Martin Shkreli, një biznesmen në fushën e farmaceutikës, u shndërrua në makthin e Amerikës, pasi vendosi që të rriste çmimin e një ilaçi të rëndësishëm nga 13.50 dollarë një tabletë në 750 dollarë. Shkreli, i cili ishte themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i “Turing Pharmaceuticals”, bleu të drejtat e medikamentit Daraprim në gusht të 2015-s për 55 milionë dollarë. Daraprim është një ilaç i vjetër dhe nga më të domosdoshmit për pacientët me AIDS, gratë shtatzëna dhe fëmijët, lufton toksoplasmosis, një infeksion që shkakton probleme dhe rrezik për jetën.

 

Advertisement
Loading...