
Me fjalën menopauzë kuptojmë ndalimin e menstruacioneve. Është një gjendje që e kalojnë të gjitha gratë. Ajo fillon pas menstruacioneve të fundit ose siç quhet ndryshe “menstruacioni i lamtumirës”, që ndodh rreth moshës 45-50 vjeç. Megjithatë, ka pasur edhe raste të tjera të veçanta që ndalimi i periodave ndodh në moshën 38 vjeç, por edhe në moshën 55 vjeç, pra nuk mund të përcaktohet një moshë e saktë.
Në këtë kohë ndalon prodhimi i hormoneve femërore nga vezoret e gruas. Është i njohur fakti se hormonet femërore nën nxitjen e hormoneve të tjera në periudhën që gruaja është pjellore dhe përgatitet trupi i saj në mënyrë ciklike për të pritur shtatzëninë, por në mungesë të shtatzënisë vijnë menstruacione.
Le të ndalemi në disa veçori karakteristike:
Te gratë 45-50 vjeç, vërehen një sërë ndryshimesh, të cilat sjellin atë gjendje që quhet “klimaksi”, që përfshin tre periudha ose faza, që janë:
Paramenopauza – fillon me çrregullime të ciklit mentruacional: menstruacionet si kohë mund të vijnë më shpesh ose më rrallë, si sasi mund të vijnë më e shtuar ose më e pakësuar dhe kanë çrregullime të tyre që vijnë me ndërprerje (3 apo 6 muaj). Gratë mund të kenë ndryshim të humorit, nervozizëm, lodhje të shpejtë, afshe të nxehta, etj. Ndryshme që i vërejnë edhe vetë gratë.
Menopauza – periudha e dytë e “klimaksit”, ndodh me ndalimin e prodhimit të hormoneve femërore dhe humbjen e aftësisë pjellore të gruas. Fillon shtimi i një sërë ndryshimeve, të cilat ku më pak e ku më shumë manifestohen pothuajse në mënyrë të njëllojtë dhe prekin gati të gjitha organet, e konkretisht aparatin urogjenital. Hollim dhe tharje e mukozës vaginale dhe djegie në vaginë, pakësim i kënaqësive seksuale, mund të ketë dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale nga pakësimi i lubrifikimit të vaginës, shtim të afsheve të nxehta, të cilat zakonisht shoqërohen me rritje të temperaturës së trupit, atrafi e sferës urogjenitale, që shoqërohet me sekrecione të shumta vaginale, urinim i shpeshtë nga pak, shumë herë mund të ketë urinim natën.
Ka të kruajtura të lëkurës, skuqje dhe tharje të saj, rënie flokësh, djersitje të shpeshta, dhimbje në zonën e zemrës e rrahje të forta. Ka dhimbje kyçesh, të muskujve, dhimbje koke, të syve, dobësim të përgjithshëm, marrje mendsh. Tendencë për ënjtje, pakësim të humorit, ulje të vëllimit të gjoksit, pagjumësi, depresion, çrregullim i kujtesës, mpirje të duarve dhe e këmbëve, ankth, paqendrueshmëri emocionale.
Pasmenopauza – kanë dobësim kockor deri në thyerjen e kockave. Gratë në këtë periudhë do të kenë rritje të tensionit të gjakut, shqetësim më të theksuar në zemër, rritje në peshë. Në faktorët më kryesorë që ndodhin janë: dobësim i indit kockor.
Mosha: sa më shpejt fillon menopauza aq më i madh është rreziku i osteoporozës.
Mënyra e të ushqyerit: përdoren ushqime bimore, ushtrime fizike ndikojnë në mbrojtjen e kockave.
Duhani: supozohet të hyjnë në menopauzë pesë vjet më parë se moshatarët e tyre.
Alkooli: ngaqë ul thithjen e kalciumit nga zorrët, favorizon zhvillimin e osteoporozës.






























