
Sjellja kompulsive seksuale është klasifikuar për herë të parë në listën ndërkombëtare të sëmundjeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si një çrregullim i shëndetit mendor.
Çrregullimi seksual përshkruhet tashmë si pamundësi për të kontrolluar impulse seksuale intensive dhe të përsëritura. Duhet theksuar se kjo nuk ka lidhje me numrin e partnerëve seksualë që mund të ketë një person apo sa shpesh kryen marrëdhënie seksuale.
Thënë ndryshe, çrregullimi i individit klasifikohet si sëmundje mendore kur sjelljet seksuale bëhen fokusi kryesor në jetën e tij, në atë pikë sa e vendos interesin seksual si parësor duke lënë pas dorë interesat e tjera të përditshme, përfshirë aktivitetet, detyrimet, angazhimet dhe përgjegjësitë.
Që të diagnostifikohet si sëmundje mendore, çrregullimi seksual duhet të zgjasë për më shumë se gjashtë muaj.
Lista ndërkombëtare e sëmundjeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, u përditësua në qershor të vitit 2018 dhe është një dokument i rëndësishëm për mjekët dhe shkencëtarët.