
Taylor Swift ka ndarë detaje emocionale në lidhje me romancën e saj me aktorin britanik, Joe Alwyn, pas spekulimeve se çifti janë martuar fshehurazi.

31-vjeçarja nxiti thashethemet, pasi u shfaq e veshur me një fustan martese në kopertinën e albumit të saj të ri, raporton “Mirror”. Këngëtarja ka treguar se lidhja me 29-vjeçarin është forcuar akoma më shumë pas këngëve të trishta dhe nga dashuria për shkrimin e këngëve të tilla.

Joe ka marrë pjesë në dy albumet e fundit të Taylor, “Folklore” dhe “Evermore”, duke shkruar nën emrin “William Bowery”.

“Joe dhe unë i duam shumë këngët e trishta. Ne jemi lidhur akoma më shumë nga muzika. Ne shkruajmë këngët më të trishta. I dashurojmë vërtetë këngët e trishta. Çfarë mund të them? Ishte një surprizë që nisëm të shkruanim bashkë”,- tha Taylor në një emision. Ajo ka treguar se i dashuri e ka prezantuar gjithmonë me këngë të cilat nuk i ka dëgjuar më parë dhe që më pas i ka bërë pjesë të të preferuarave të saj. Taylor tha se Joe u kthye në bashkëpunëtorin e saj më të mirë gjatë ditëve të izolimit.

“Mendoj se nuk do e kishim marrë këtë hap nëse nuk do të kishim qenë në izolim, mendoj se nuk do të kishte ndodhur dhe jam shumë e lumtur që ndodhi”,- u shpreh artistja.






























