
“Barbie”, kukulla e cila gjendet prej 60 vitesh në treg, do të vijë tanimë me një version të ri. Kukulla e re “Barbie” do të vijë prej muajit qershor në disa variante, si në karrige me rrota dhe me protezë në këmbë.
Zv/presidentja e “Barbie Design”, Kim Culmone ka pohuar se kjo do të bëhet për të nxjerrë në pah llojet e ndryshme të gjendjes fizike, si dhe për t’u treguar fëmijëve se çdo vajzë është e bukur.
“Prezantojmë një kukull të re në karrige me rrota dhe me një problem fizik, më saktë me një protezë në këmbë. Do të ketë edhe kukulla me përmasa të ndryshme trupore, por ajo në karrige me rrota ka qenë një prej më të kërkuarave nga konsumatorët tonë”, ka pohuar Kim Culmone, zv/presidente e “Barbie Design”.
Sipas “Teen Vogue”, kukullat “Barbie” janë prodhuar prej vitesh në forma të ndryshme, por gjithnjë duke patur si synim përsosmërinë.
Imazhi i pare i “Barbie-t” që u prodhua fillimisht në vitin 1959, ka qenë me sy blu, linja trupore perfekte dhe me flokë bjondë të gjatë. Pas saj, kompania ka prodhuar rreth 100 lloje të ndryshme, duke përfshirë dhe kukulla me ngjyrë, të kolme dhe brune.
Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se kukullat me aftësi ndryshe do t’i bëjë vajzat në gjendje të njëjtë fizike që të ndihen shumë më mirë me veten, por edhe do të bëjnë që fëmijët e tjerë t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë.






























